Komisioni për Integrim Evropian të premten ka miratuar me shtatë vota për Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) 2021-2025.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, tha se kjo marrëveshje përbëhet nga tri kritere ato politike, ekonomike dhe standardet evropiane, ku kostoja e saj varion me 47.7 milionë euro.
“Dokumenti është i përbërë prej 250 faqesh, dhe përmban një volumitet të përmbajtjes. Për zbatimin e këtij plani kombëtar nuk kemi probleme buxhetore, dhe kostoja e saj është 47.7 milionë euro. Plani kombëtar përmban 61 projektligje me standarde evropiane”, tha Bislimi.
Deputeti Driton Hyseni tha se do duhej që të ketë plane konkrete sa i përket grandeve dhe të ketë kuadro profesionale edhe sa i përket zhvillimit lokal të komunave për fonde që u jep BE-ja.
Ndërsa deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra tha se një dokument i tillë do duhej t’i nënshtrohej një diskutimi publik dhe të jetë në përputhje me rregulloren.
“Katër takime jemi mbrapa dhe na duhet impute se sa është avancuar ky projekt. Një dokument i tillë do duhej t’i nënshtrohej një diskutimi publik dhe në përputhje me rregulloren”.
Bislimi i’u përgjigj deputetes Deliu-Kodra lidhur me çështjet e adresuara, i cili theksoi se performanca tatimore është shumëfish më e mirë se e çdo vendi të rajonit.
Deputetja e AAK-së Time Kadriaj pyeti zëvendëskryeministrin se kur pritet të sillen 61 projektligje në Kuvend që janë pjesë e planit.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se tashmë 14 projektligje janë përfunduar dhe pritet edhe miratimi i të tjerave.