Kuvendi i Kosovës, me 64 vota për, ka miratuar Projektligjin për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Megjithatë, miratimi u shoqërua me debate të ashpra mes opozitës dhe udhëheqjes së Kuvendit, kryesisht për shkak të vërejtjeve të Zyrës së Bashkimit Evropian lidhur me menaxhimin e parasë publike.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, kritikoi ashpër nxitimin për kalimin e këtij ligji, duke cituar shqetësimet e ndërkombëtarëve për mungesë transparence.
“Është e padrejtë forma si neglizhoni amendamentet e deputetëve dhe se si nuk i respektoni kërkesat e BE-së që kërkon ruajtje të transparencës, llogaridhënies dhe parasë publike. Është e çuditshme si po mundoheni ta eskivoni këtë”, u shpreh ajo, duke shtuar se PDK nuk është kundër lojërave, por kundër shkeljes së rregullave në emër të afateve politike.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, iu përgjigj këtyre kritikave duke vënë theksin te sovraniteti i institucionit dhe urgjenca e situatës politike, duke pasur parasysh afatin për zgjedhjen e presidentit.
“Ne i respektojmë partnerët tanë, por nuk mund ta marrë më tepër parasysh një letër të Zyrës së BE-së sesa vullnetin e qytetarëve të shprehur në Kuvend. Nëse ky Kuvend nuk e zgjedh deri më 28 prill presidentin, shpërndahet me automatizëm. Paramendoni, Kosova ka marrë përgjegjësi t’i organizojë lojërat dhe ne jemi shumë vonë”, deklaroi Haxhiu.
Ajo madje u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të mos bëhen “zëdhënës të Zyrës së BE-së”, por të përfaqësojnë interesat e qytetarëve që presin suksesin e këtij organizimi sportiv.
Përveç Lojërave Mesdhetare, seanca e sotme përmbylli edhe disa nisma të tjera ligjore
U miratua Projektligji për financimin e menaxhimit të resurseve ujore.
Në lexim të dytë kaluan me nga 69 vota Projektligji për Banim Social dhe të Përballueshëm si dhe Projektligji për Shtetësinë e Kosovës.
