Komisioni për Çështje Normative i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga kryesuesi Visar Krasniqi, ka miratuar Draft-Rregulloren për Menaxhimin e Lëndëve përmes Sistemit Elektronik SMIL në Sistemin Prokurorial. Në këtë takim, ku morën pjesë anëtarë të komisionit, drejtues të sekretariatit të KPK-së si dhe përfaqësues nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, u shqyrtuan dhe u integruan komentet e pranuara nga dëgjimi publik. Pas këtij procesi, draft-rregullorja u miratua dhe u përcolli në Këshillin Prokurorial të Kosovës për aprovim final.
Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit Prokurorial, ky dokument pritet të sjellë një reformë të rëndësishme në operimin e përditshëm të institucioneve të ndjekjes penal.
“Kjo rregullore avancon ndjeshëm menaxhimin e procesit të punës në të gjitha prokuroritë e vendit, duke u fokusuar në fushat kyçe si regjistrimi i dokumenteve në sistemin SMIL, shpërndarja e lëndëve në mënyrë elektronike dhe përdorimi i detyrueshëm i këtij sistemi”, thuhet në njoftimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Përveç këtyre pikave, rregullorja e re përcakton rregulla të qarta për mbikëqyrjen e vazhdueshme, raportimin dhe digjitalizimin e plotë të proceseve të punës. KPK-ja ka bërë të ditur se ky reformim do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë.
“Miratimi i kësaj rregulloreje shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës, efikasitetit dhe llogaridhënies brenda sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e KPK-së. /E.A/
