Në mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar, Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar angazhim të menjëhershëm, duke e kthyer takimin ceremonial në një mbledhje pune.
Ai theksoi se përvoja e fituar dhe përgatitja e kabinetit janë garanci se “ky kabinet i ka të gjitha parakushtet që të jetë më i suksesshmi në historinë e re të Kosovës”.
Fokus i veçantë iu dha zhbllokimit të fondeve ndërkombëtare që kishin mbetur peng i shpërndarjes së Kuvendit.
Kurti vuri në dukje rëndësinë e votimit të planit të rritjes nga BE-ja prej 882.6 milionë eurosh dhe marrëveshjeve me Bankën Botërore, duke deklaruar: “Me votën tuaj sot po i japim vendit një mundësi tjetër për t’i ratifikuar këto marrëveshje”.
Në përfundim të mbledhjes, kabineti miratoi pa asnjë kundërshtim projektligjin për buxhetin e vitit 2026, i cili kap vlerën rekord prej mbi 4 miliardë eurosh.
Kurti e përmbylli këtë pikë duke konfirmuar riprocedimin e menjëhershëm të këtij projektligji drejt Kuvendit për miratim final.
Qeveria Kurti 3 u votua më 11.02.2026. Për kanë votuar 66 deputetë për, 49 kundër dhe asnjë abstenim.
