Sot në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare. Ratifikimin i Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermier, kirurg veterinar, farmacist dhe mami në kontekstin e Marrëveshjes së tregtisë të lirë të Evropës Qendrore, është marrëveshja e parë që u votua.
Ndërkaq, pas kësaj, pro u votua edhe për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Po ashtu, ani pse pati debate mes pozitës dhe opozitës, me 80 vota u miratua edhe për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”.
Propozimin për këtë marrëveshje, e cila vlerën totale e ka 25 milionë euro, e bëri Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Ai tha se qëllimi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i sistemit të menaxhimit të banimit social në Kosovë dhe ngritja e numrit të njësive të numrit social në vend. Murati potencoi se nga miratimi i kësaj marrëveshje do të përfitojnë familjet e cenueshme dhe ato me të ardhura të ulëta, të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit. Përveç kësaj, ai shtoi se përmes qirave të përballueshme mund të përfitojnë edhe familjet me të ardhura të ulëta deri tek ato me të ardhura të mesme, të cilat e kanë të vështirë të përballojnë çmimet e tregut për banim.
“Qëllimi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i sistemit të menaxhimit të banimit social në Kosovë dhe ngritja e numrit të njësive të numrit social në vend. Me këtë rast, marrëveshja përfshin disa komponente kyçe për arritjen e qëllimit të projektit. Përkatësisht marrëveshja përfshinë ngritjen e numrit të njësive të banimit social që mund të bëhet duke rinovuar banesat sociale ekzistuese, shndërrimin e banesave ekzistuese në banesa të reja sociale, ndërtimin banesave të reja të banimit social e të tjera. Nga kjo komponentë mund të përfitojnë familjet të cenueshme dhe ato me të ardhura të ulëta të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit. Po ashtu, përmes qirave të përballueshme mund të përfitojnë edhe familjet me të ardhura të ulëta deri tek ato me të ardhura të mesme të cilat e kanë të vështirë të përballojnë çmimet e tregut për banim…Marrëveshja e Kredisë ka vlerën totale prej 25 milionë euro dhe do t’i mundësojë Qeverisë së Republikës së Kosovës që të zhvillojnë sistemin e banimit social në vend”, tha Murati.
Lidhur me këtë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha kritikoi qeverinë për trajtimin e këtij projektligji, për çka tha se ende nuk është sjellë në kuvend ligji për banim social. Për këtë, Hoxha tha se ky draftligj ekziston që nga viti 2019. Si çështje të rëndësishme, deputetja e PDK-së, përmendi faktin se si do të bëhet përzgjedhja e familjeve përfituese.
“Ne po e trajtojmë një projektligj për mundësi për kredi për banim social adekuat përderisa ligjin për banim social ministri që është këtu prezent nuk e ka sjellur në kuvend. Draftligji ekziston që nga viti 2019, procesi për ligjin po ashtu ekziston në faqen zyrtare të ministrisë, por që ne atë ligj nuk e kemi trajtuar në kuvend nuk e kemi miratuar. Për mua ka shumë rëndësi se në bazë të cilave kritere do të bëhet përzgjedhja e familjeve, në çfarë mënyrë do të operohet me komunat të cilat do të jenë bartëse qoftë të procesit të ndërtimit në situata të caktuara ose edhe menaxhimit të stokut të këtyre banesave”, tha Hoxha.
Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti tha se pavarësisht që do ta mbështesin këtë marrëveshje, duhet dhënë sqarime rreth saj.
“Debati për këtë marrëveshje nuk është shtjerrur plotësisht në komision dhe jemi dakorduar që të vijmë këtu në Kuvend. Nëse do të kaloni vetëm proforma në fund të fundit edhe ju mbështesim këtë . Por, nuk kalohet marrëveshja pa i dhënë sqarimet që kërkojnë grupet parlamentare. Unë e bëra një listë të gjatë të pyetjeve. Tani, ministri doli na ngatërroi me atë që edhe shërbyesit civil do të përfitojnë prej kësaj. Por, këtu në projekt nuk shkruan për atë. Janë familjet me asistencë sociale dhe familjet me të ardhura të ulëta nën mesatare. Ti nuk e gjen një shërbyes civil që ka të ardhura në mesatare. Të bëhemi serioz kur i diskutojmë këto gjëra që janë të rëndësishme për plot familje”, tha Hoti.