UBT News

MINT vazhdon ndëshkimet ndaj KEDS-it, 110 mijë euro gjoba për njehsorë me parregullsi

Pas gjobave të shqiptuara edhe në javët e kaluara, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar se ka vazhduar masat ndaj KEDS-it, duke i shqiptuar së fundmi gjoba në vlerë prej 110 mijë eurosh për shkak të parregullsive të evidentuara në njehsorët elektrikë të konsumatorëve.

Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë muajit maj ka vazhduar verifikimi i njehsorëve të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa pranë Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Të dhënat e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës tregojnë se nga verifikimet e realizuara, 18 njehsorë kanë rezultuar me afat të skaduar të validitetit, dy të tjerë me miratim tipi të tërhequr, ndërsa 30 njehsorë kanë pasur pasaktësi në datë dhe orë.

Bazuar në këto gjetje dhe në përputhje me Ligjin për Metrologjinë, Inspektorati Qendror i Tregut ka shqiptuar ndaj KEDS-it gjoba në vlerë totale prej 110 mijë eurosh.

Ministria bëri të ditur se raportet zyrtare të verifikimit janë dorëzuar edhe te KESCO, me qëllim që të bëhet kompensimi i konsumatorëve që mund të jenë dëmtuar nga këto parregullsi.

Sipas MINT-it, procesi i verifikimit të njehsorëve do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, deri në trajtimin dhe shqyrtimin e plotë të të gjitha ankesave të paraqitura nga qytetarët.

Exit mobile version