Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.
Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.
Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.
Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.
Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/
