UBT News

MINT-i dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshjen për Eko-Parqet Industriale

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Banka Botërore kanë zyrtarizuar bashkëpunimin përmes nënshkrimit të marrëveshjes për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale në Kosovë. Ky projekt synon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese vendore, rritjen e konkurrueshmërisë, tërheqjen e investimeve private dhe hapjen e vendeve të reja të punës, duke i dhënë theks të veçantë standardeve mjedisore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij theksoi se ky nismëzim shërben si mekanizëm kyç për zbutjen e deficitit tregtar të vendit, duke përmendur se gjatë vitit 2025 importi arriti në rreth shtatë miliardë euro, krahasuar me rreth një miliard euro eksport.

“Zhvillimi i parqeve industriale do të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës pa përjashtim, përfshirë edhe dy parqe në pjesën veriore të vendit tonë. Pas vendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Ibrit, po e zhvendosim gradualisht vëmendjen drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve që jetojnë atje”, u shpreh Kurti.

Nga ana e saj, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, vuri në pah se modeli i ri industrial fokusohet te mënyra e prodhimit dhe efikasiteti i burimeve, duke u mbështetur edhe në gjetjet e raportit të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) që veçon prodhimin e komponentëve të ndërtimit si sektor me potencial të lartë.

“Kjo marrëveshje shënon një hap të ri bashkëpunimi për të zgjeruar zbatimin e standardit ndërkombëtar të eko-zonave… Eko-zonat industriale do të jenë instrument për mobilizimin e investimeve private dhe krijimin e vendeve të punës”, theksoi Kusari-Lila.

Projektin e kanë mirëpritur edhe partnerët ndërkombëtarë. Shefi i Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Hubert Perr, vlerësoi se nisma dëshmon përkushtimin për një ekonomi të qëndrueshme, ndërsa menaxherja e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand, theksoi se eko-parqet do të ndihmojnë bizneset në tejkalimin e barrierave dhe menaxhimin efikas të burimeve natyrore. /E.A/

 

Exit mobile version