Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj kompanisë KEDS, pas një aksioni të intensifikuar në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë. Ky proces u inicua pas ankesave të shumta nga konsumatorët, të cilat u shqyrtuan nga një komision i posaçëm verifikues.
Gjatë testimeve të kryera në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë, u konstatua se KEDS nuk kishte respektuar afatet e vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë. Si rrjedhojë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, bazuar në Ligjin për Metrologji, ka shqiptuar gjoba që variojnë nga 1,500 deri në 5,000 euro për secilin njehsor që rezultoi me afat të skaduar verifikimi.
Përveç masave ndëshkuese, MINT ka njoftuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorëve dhe ka lehtësuar procedurat për raportimin e parregullsive. Nga sot, qytetarët kanë në dispozicion një numër të ri mobil, +383 (0) 46 311-000, ku mund të dërgojnë ankesat e tyre në çdo kohë, përfshirë fundjavat dhe festat, edhe përmes platformës Viber. Ministria inkurajon të gjithë konsumatorët që të adresojnë shqetësimet e tyre pranë Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve për të siguruar trajtimin me prioritet të çdo rasti.
