Komisioni verifikues në kuadër të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) po vazhdon me verifikimin e njehsorëve elektrikë pas ankesave të shumta të qytetarëve, proces ky që ka rezultuar me masa ndëshkimore.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se pas kontrolleve laboratorike të 16 njehsorëve, janë gjetur shkelje të rënda, për çka Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka shqiptuar gjobë ndaj KEDS-it në vlerë prej 35 mijë eurosh.
Nga analizat e detajuara laboratorike, në gjashtë raste është vërtetuar se njehsorët elektrikë kishin afat të skaduar të verifikimit, ndërsa në gjashtë raste të tjera janë evidentuar devijime në orë dhe datë. Po ashtu, inspektorët kanë konstatuar një rast të heqjes së miratimit të tipit të njehsorit, ndërkohë që tre pajisje të tjera janë ende në proces të ekzaminimit të mëtutjeshëm.
MINTI dhe Agjencia e Metrologjisë kanë bërë të ditur se ky aksion nuk do të ndalet me aq. Verifikimet do të vazhdojnë intensivisht edhe në ditët në vijim për të garantuar që çdo pajisje matëse funksionon sipas standardeve ligjore, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga faturimet e pasakta dhe sigurimin e transparencës në tregun e energjisë.
