Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, po vazhdon aksionin për mbikëqyrjen dhe verifikimin e njehsorëve elektrikë në territorin e Kosovës.
Gjatë kontrolleve të realizuara së fundmi, inspektorët kanë identifikuar pesë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik. Për shkak të kësaj shkeljeje, ndaj operatorit ekonomik KEDS është shqiptuar një gjobë në vlerë prej 25 mijë eurosh.
MINT dhe AMK kanë bërë të ditur se verifikimet e matësve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të garantimit të matjes së saktë të konsumit të rrymës, mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve dhe respektimit të ligjit.
“Institucionet përgjegjëse mbeten të përkushtuara për të siguruar që çdo njehsor elektrik në përdorim të jetë i verifikuar dhe në përputhje me kërkesat ligjore, duke garantuar transparencë dhe besueshmëri në procesin e matjes”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, ministria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë dyshime apo dëshmi lidhur me funksionimin e njehsorëve të tyre elektrikë, t’i adresojnë ankesat përmes numrit të telefonit +383 46 311 000 (në Viber) ose në adresën elektronike: konsumatori@rks-gov.net. /E.A/
