UBT News

Ministrja serbe kërkon falje pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”

Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje pas reagimeve të shumta ndaj deklaratës së saj për “spastrimin etnik të Kosovës”, duke pretenduar se fjalët e saj janë nxjerrë jashtë kontekstit.

Në një paraqitje në televizionin serb Informer, Paunoviq tha se nga një emision i gjatë janë shkëputur vetëm disa sekonda dhe se kjo është përdorur si çështje politike.

“Kjo është historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të shpjegosh se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, deklaroi ajo, ndërsa kërkoi falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut.

Paunoviq tha se është krenare për mbështetjen që mori nga Partia Socialiste e Serbisë (SPS), por u shpreh e zhgënjyer me disa reagime nga brenda partisë.

Më herët, gjatë një paraqitjeje televizive, ajo kishte deklaruar se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë, do të kryente pastrim etnik.

Pas kësaj deklarate, autoritetet e Kosovës e shpallën Paunoviqin person “non grata”. Ajo e ka cilësuar këtë vendim si paradoksal, duke pretenduar se bëhet fjalë për një “ndalim të përhershëm”./A.K/

Exit mobile version