Marrëveshja e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarikës për shfrytëzimin e qelive nga kjo e fundit, ka bërë që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu të ftohet në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.
Haxhiu do të raportojë përpara deputetëve pjesë e këtij Komisioni në lidhje me këtë marrëveshje në mbledhjen e sotme që pritet të nisë në ora 13:00.
“Gatishmëria e Mbretërisë së Danimarkës për t’ia besuar Kosovës transferin e të dënuarve, dëshmon përparimin që vendi ynë ka bërë në respektimin e të drejtave të njeriut dhe përkushtimin tonë për të quar më tej reformat në sundimin e ligjit, sikurse edhe ngritjen e marrëdhënieve tona në një nivel shumë të lartë. Kështu, MD e Republikës së Kosovës ka rënë dakord që t’i ofroj kapacitetet e saj korrektuese në qendrën e paraburgimit në Gjilan për Ministrinë e Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës për vendosjen e deri 300 të dënuarve për një periudhë deri 5 plus 5, pra gjithsej 10 vjeçare”, pati deklaruar Haxhiu pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me homologun e saj danez.
Ndërsa ministri danez i Drejtësisë, Nick Haekkerup, pati thënë se përmes kësaj marrëveshjeje do të përfitojnë të dyja shtetet.