UBT News

Ministrja Gërvalla dorëzon kallëzim penal ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviq

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka deponuar sot kallëzim penal pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ndaj ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj të fundit ku arsyetoi spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve të nëntëdhjeta. Përmes këtij hapi ligjor, Gërvalla-Schwarz ka kërkuar reagimin e menjëhershëm të organeve kompetente për të filluar ndjekjen penale ndaj zyrtares serbe.

Në njoftimin e saj zyrtar, ministrja e Drejtësisë u bëri thirrje prokurorëve të shtetit që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj deklaratave që arsyetojnë krimet e luftës në Kosovë.

“Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente”, sipas njoftimit të ministrisë.

Gërvalla-Schwarz ka sjellë në vëmendje bilancin e rëndë të luftës në Kosovë, duke theksuar se Serbia ende refuzon të kërkojë falje apo të marrë përgjegjësi për gjenocidin e ushtruar ndaj popullatës civile.

“Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Mbi 10,000 civilë shqiptarë humbën jetën, 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur, afër një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, rreth 20,000 gra, burra e fëmijë u përdhunuan dhe mbi 100,000 shtëpi u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë. Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor”, thuhet në komunikaten e ministrisë.

Ky hap institucional i Ministrisë së Drejtësisë vjen si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj deklaratës skandaloze të Paunoviqit, e cila ka ngjallur dënime të ashpra edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë, duke u parë si një tentativë e hapur për të nxitur tensione të reja dhe për të legjitimuar krimet e regjimit të kaluar në Beograd.

 

Exit mobile version