Ministrja e Sportit të Francës, fajësoi të hënën Liverpool-in për kaosin që shënoi finalen e Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit në Paris, ndërsa shprehu keqardhjen që ishte përdorur gaz lotsjellës kundër disa tifozëve.
Qeveria franceze është përballur me një breshëri kritikash nga shtypi dhe politikanët në Mbretërinë e Bashkuar për trajtimin e policisë në ndeshjen e së shtunës, e cila pa mijëra tifozë të Liverpool me bileta që përpiqeshin të hynin.
Por ministrja franceze e sportit, Amelie Oudea-Castera i tha radios RTL se Liverpool, ndryshe nga Real Madridi, kishte dështuar të organizonte siç duhet tifozët që erdhën në Paris.
“Liverpooli i la të lirë mbështetësit e tij, ky është një ndryshim i madh”, tha ajo.
Ministrja shtoi se kishte 30,000-40,000 tifozë të Liverpool-it me bileta false ose pa bileta jashtë Stade de France.
“Duhet të shohim se nga kanë ardhur këto bileta të rreme dhe si janë prodhuar në një numër kaq të madh”, tha ajo.
Ajo tha se aspekti më i keq i asaj që ndodhi ishte se ishte përdorur gaz lotsjellës kundër familjeve dhe fëmijëve që erdhën për të parë finalen.
Oudea-Castera më vonë të hënën do të kryesojë një takim të zyrtarëve francezë të sigurisë dhe futbollit, si dhe përfaqësues të organit qeverisës të futbollit evropian UEFA.
Të pranishëm do të jenë ministri i brendshëm, Gerald Darmanin, dhe shefi i policisë së Parisit, Didier Lallement.
Ajo këmbënguli se Franca ishte e aftë të organizonte ngjarje të mëdha sportive, ndërsa Parisi përgatitet të zhvillojë Lojërat Olimpike në 2024, si dhe finalen e Kupës së Botës të regbisë në 2023.
“Nuk jam e shqetësuar, jam shumë e përkushtuar që të mësojmë absolutisht të gjitha mësimet nga ajo që ndodhi të shtunën në mbrëmje për të përmirësuar gjithçka para këtyre ngjarjeve madhore”, tha ajo. /UBTNews/