Sot në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e shoqëruar nga Zëvendësministri, Blerim Sallahu dhe Këshilltari i Lartë dhe Shefi i Kabinetit, Genc Nimoni, ka takuar anëtaret e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Në fjalën e saj hyrëse, ministrja Haxhiu fillimisht uroi të gjithë anëtarët për përzgjedhjen e tyre nga Kuvendi i Kosovës, me ç’rast shprehu rëndësinë e mirëfunksionimit të Komisionit si dhe organizimit sa më të kompletuar të krejt procesi të cilit do t’i nënshtrohen juristët e rinj.
Ndër tjera ministrja Haxhiu kërkoi nga të gjithë anëtarët që të jenë në nivelin e detyrës dhe gjithashtu, që në përputhje me legjislacionin dhe kriteret profesionale, të zbatojnë përgjegjësitë të cilat iu janë besuar, duke kthyer kështu kredibilitetin dhe profesionalizimin në këtë proces.
Në anën tjetër Kryetari i Komisionit, Albert Zogaj, në emër të Komisionit ka shprehur falënderimet për besimin e dhënë duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin që Komisioni të jetë në nivelin profesional gjatë ushtrimit të kësaj përgjegjësie. Z. Zogaj tutje ka theksuar rëndësinë që Komisionit dhe tërë procesit, t’ia kthejnë integritetin dhe profesionalizmin e munguar.
Në kuadër të reformave, ditë më parë Ministrja e Drejtësisë gjithashtu kishte ulur tarifat 50% për kandidatë të cilët do t’i nënshtrohen provimit si dhe për vet anëtarët e Komisionit.
Ditëve në vazhdim, Ministria e Drejtësisë do të fillojë përgatitjet për organizimin dhe mbajtjen e Provimit të Jurisprudencës, me ç’rast shumë juristë do të kenë mundësinë që t’i nënshtrohen.