Ministrja e Brendshme Federale e Gjermanisë, Nancy Faeser nga SPD-ja, ka thënë se ndalimi i migrimit ilegal përmes së të ashtuquajturës Rrugë Ballkanike është detyrë pan-evropiane – sa më shpejt që të jetë e mundur dhe së bashku. Këtë ajo e bëri të qartë para një takimi me ministrat e brendshëm të BE-së me kolegët e saj nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Faeser i tha rrjetit editorial gjerman RND se shtetet e BE-së ishin bashkërisht përgjegjëse për hyrjet ilegale. Ajo iu referua situatës veçse të tensionuar si pasojë e luftës ruse të agresionit kundër Ukrainës. “Që nga nisja e luftës, në Gjermani kemi marrë më shumë se një milion refugjatë nga Ukraina”.
Edhe hyrjet ilegale përmes Ballkanit duhet të ndalohen “në mënyrë që t’u ndihmojmë njerëzve që urgjentisht kanë nevojë për mbështetjen tonë”. Një nga problemet është se autoritetet nuk e dinë se sa njerëz aktualisht ku po udhëtojnë kur i kalojnë kufijtë ilegalë. Kjo e bën edhe më të vështirë përgatitjen për javët dhe muajt pasues.
Riatdhesim për njerëzit “që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë me ne”
Pas takimit të tyre në Berlin (“Procesi i Berlinit”), ministrat e Brendshëm duan të diskutojnë një pako me masa që mund të ndihmojnë në kufizimin e migrimit përmes rrugës ballkanike. Mes tjerash, kjo përfshin harmonizimin e politikave të vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor me standarde të BE-së. Veç kësaj, ata duan të ndërmarrin veprime edhe më të fuqishme kundër kontrabanduesve dhe të rrisin mbrojtjen e përgjithshme të kufijve.
Megjithatë, sipas Faeserit, duhet të ketë veprime edhe për riatdhesimin e njerëzve “që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë me ne”.
Gerald Knaus, hulumtues i migrimit dhe bashkëthemelues i organizatës “European Stability Initiative”, nuk ka shpresa të mëdha për këto. “Mbyllja e Rrugës Ballkanike kurrë nuk ka funksionuar”, tha ai për RND. Sipas tij, presioni momentalisht nuk po shkaktohet nga migrimi ilegal, por nga migrimi legal: nëntë nga dhjetë refugjatë vijnë nga Ukraina.
Faeser ka ftuar përfaqësuesit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën e Hercegovinën dhe Serbinë – në “Procesin e Berlinit”. Do të jenë përfaqësues edhe nga Bullgaria, Franca, Greqia, Italia, Kroacia, Austria, Polonia, Sllovenia, Republika Çeke dhe Mbretëria e Bashkuar. Të premten, ministrat e Jashtëm pritet t’u bashkëngjiten konferencës.
Nikoqire do të jetë ministrja e Jashtme federale e Gjermanisë, Annalena Baerbock (nga të Gjelbrit). Ajo veçse ka deklaruar se qëllimi i takimit është promovimi i afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Veç kësaj, është e rëndësishme që shtetet e rajonit të kuptojnë njëri-tjetrin më mirë.