Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka reaguar pas rastit të raportuar në zonën e Gjeravicës, pranë “Liqenit të Zemrës”, ku një grup alpinistësh dyshohet se janë penguar gjatë rrugëtimit dhe janë përballur me fjalë dhe kërcënime nga një person i pranishëm në atë zonë.
Ministria ka bërë të ditur se për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit ka kërkuar informacione nga institucionet relevante, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Komunën e Junikut.
Sipas Ministrisë, është e rëndësishme që destinacionet natyrore dhe turistike të jenë të qasshme për qytetarët, turistët dhe vizitorët, duke respektuar njëkohësisht të drejtat, sigurinë dhe rregullat që vlejnë për të gjithë.
Ndërkohë, Komuna e Junikut ka reaguar më herët duke bërë thirrje që rasti të trajtohet nga organet kompetente. Komuna ka sqaruar se, ndonëse incidenti ka ndodhur brenda territorit të saj administrativ, personi i përfshirë, sipas informatave të deritanishme, nuk është banor i Junikut.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka theksuar se në zhvillimin e turizmit duhet të respektohen të drejtat dhe siguria e vizitorëve, por edhe e banorëve dhe komuniteteve lokale.
Rrethanat e incidentit pritet të sqarohen nga institucionet kompetente./A.K/
