Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nuk ka bërë ndërprerjen e kontratave të stafit mjekësor, por se të njëjtat kanë përfunduar sipas kohëzgjatjes që kanë pasur.
Sipas MSH-së, ata ishin të angazhuar përmes projektit të Shëndetësisë Kosovare (PSHK) dhe të financuar nga huamarrja e Bankës Botërore,
“MSh informon se kontratat e nënshkruara për stafin mjekësor (mjekë, infermierë, teknikë të laboratorit, inspektorë dhe personel mbështetës teknik), të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19 kanë përfunduar shumica, disa përfundojnë me datë 21 qershor 2021 dhe se të njëjtat nuk mund të zgjaten, për shkak se në projektin e Shëndetësisë Kosovare nuk është alokuar buxhet për këtë qëllim. Angazhimi i stafit mjekësor dhe operacional është bërë duke u thirr në ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës, i cili lejon angazhim të përkohshëm për nevoja urgjente. Situata aktuale epidemiologjike tani është shumë më e qetë dhe të dhënat nga raportet ditore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, tregojnë se numri i pacientëve me COVID-19, aktualisht në trajtim është shumë më i vogël se në kohën e angazhimit të këtij stafi, një pjesë e të cilit kanë qenë të angazhuar jo në shërbime mjekësore, por në administratën e MSh-së”, thuhet në komunikatë.
MSh thekson se sipas raportit të 24 orëshit të fundit, në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme të vendit janë gjithsej 77 pacientë në trajtim (për COVID-19), prej të cilëve të konfirmuar me COVID-19 janë gjithsej 28 pacientë.
“Prandaj, MSh konsideron se aludimet në media dhe në forma të tjera për ndërprerje të kontratave nga ana e këtij stafi, për kontrata të përfunduara nuk janë korrekte dhe të vërteta”, thuhet në komunikatë.
Përndryshe, sot është mbajtur një protestë e stafit shëndetësor , të cilëve iu ka përfunduar kontrata.