Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) kërkon nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) që sa më shpejt të bëjë bartjen e mjeteve financiare të komunave nga rritja e të hyrave vetanake nga viti 2023.
Këto mjete janë të Komunave dhe duket shumë absurd që mjetet e komunave të bllokohen nga niveli qëndoror. Kemi të bëjmë më mos bartjen e rritjes së të hyrave vetanake të vitit 2023, e që këto të hyra kapin shifrën e milionave euro.
Komunat që kanë tejkaluar planifikimin e të hyrave vetanake për vitin 2023 kanë aprovuar këtë rritje buxhetore në Kuvendet e Komunave përkatëse mirëpo, MFPT ende nuk i ka bartur këto të hyra dhe i zvarrit pa asnjë arsye.
A thua përse ndodhë një veprim i tillë ndaj komunave? Duhet ditur se MFPT e ka obligim Ligjor që këto mjete t’i bartë te komunat sepse janë të hyra vetjake të komunave.
Duke marrë parasysh që këto mjete nga rritja e të hyrave vetanake të komunave për vitin 2023 janë të destinuara për projekte kapitale, me këtë veprim niveli qendror i fut në rreziqe komunat që të mos mund të procedojnë në publikimin e projekteve për të cilat janë destinuar. Pra, komunat edhe pse i kanë të destinuara këto mjete për investime kapitale, pra për përmirësimin e jetës së qytetarëve, kjo nuk mund të ndodhë për shkak pengesave të shkaktuara nga niveli qendror.
Komunat janë në pritje të bartjes së të hyrave nga rritja e realizuar nga vete komunat. I bëjmë ftesë publike Ministrit të ndërmarrë veprimet konkrete ligjore për realizimin e të drejtës së komunave në të kundërtën po neglizhohet në dëm të komunave e rrjedhimisht në dëm të mosrealizimit të projekteve kapitale në interes të qytetarëve.