Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Republikës së Kosovës ka filluar zbatimin e Masës 3.6 për mbështetjen e likuiditetit familjar që nënkupton subvencionimin e kredive konsumuese.
Andaj, njoftohen të gjithë klientët e bankave si dhe publiku i gjerë që gjatë aplikimit për kredi konsumuese në bankën e tyre ata duhet të ndjekin procedurat standarde për aplikim. Gjithashtu, bankat komerciale gjatë procesimit të aplikacioneve për kredi do të ndjekin procedurat standarde të vlerësimit dhe aprovimit të kredive.
Rrjedhimisht, bankat nuk do të paragjykojnë aprovimin apo jo të subvencionimit të kredisë dhe nuk do të kenë asnjë procedurë të veçantë apo informacion shtesë në lidhje me këtë masë. Në rast të aprovimit të kredisë klienti duhet ti drejtohet platformës eKosova ku mund të plotësojë formularët e nevojshëm.
Në vijim gjeni udhëzimet e publikuara nga Ministria e Financave:
Kush mund të përfitojë?
Të gjithë personat që marrin kredi konsumuese deri në shumën 10,000 euro, nga data 1 tetor 2021 e tutje, do të mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë.
Sa është shuma e subvencionimit?
Shuma që përfiton secili aplikues që kualifikohet është 10% e shumës së kredisë, deri në maksimumin prej 300 euro.
Shembull:
Nëse kredia është 1,500 euro, subvencionimi do të jetë 150 euro;
Nëse kredia është 3,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro;
Nëse kredia është 5,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro.
Çka duhet të bëni për të përfituar?
Pasi të keni marrë kredinë nga një institucion financiar i licencuar, duhet të plotësoni formularin për aplikim në eKosova.
Pas konfirmimit të saktësisë së aplikacionit, subvencioni paguhet në llogarinë bankare të kredimarrësit.
Me këtë masë synohet mbështetja e likuiditetit familjar, për të mbuluar shpenzimet sezonale familjare, shpenzimet e shkollës, mbylljen e bilanceve të kredit kartelave, apo çfarëdo shpenzimi tjetër që sadopak do të lehtësonte barrën e familjes.