Ministria e Bujqësisë ka mbajtur diskutimin mbi rishkimin e sektorit të pylltarisë në Kosovë.
Ministri i Bujqësisë Faton Peci, tha se pyjet janë pasuri e vendit dhe si të tilla janë prioritet i rëndësishëm për ministrinë që ai drejton, duke premtuar lirim të vendeve të punës.
“Pyjet mbulojnë gati gjysmën e Kosovës, andaj në aspektin ambiental dhe ekonomik paraqesin një proces strategjik. Ne në programin tonë kemi prioritet pikërisht këtë tematikë, dhe rrjedhimisht kjo krijon lirimin e vendeve të punës për ata persona që jetojnë në këto zona me pyje”.
“Ne si Qeveri kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm që korniza ligjore e këtij sektori të jetë një ndër prioritetet tona”, tha ai.
Tutje ai tha se këtë vit pritet nga kjo ministri të aprovohet ligji i ri i pyjeve, që do rris transparencën dhe ruajtjen e pyjeve.
“Ne këtë vit do aprovojmë ligjin e ri të pyjeve, i cili definon qartë ruajtjen e pyjeve dhe rregullon shfrytëzimin e produkteve dhe rritjen e transparencës”, theksoi tutje Peci.
Ambasadorja e Suedisë, Karin Hernmarck tha se një ndër sfidat e Kosovës janë degradimi i pyjeve, andaj edhe kjo Qeveri duhet ta ketë prioritet këtë problem.
“Kosova po përballet me sfida të mëdha të degradimit të ajrit, ujit e pyjeve dhe këto duhet të jenë synime dhe prioritete të qarta për Kosovën”.
“Pyjet janë me rëndësi strategjike për Kosovën ashtu siç janë edhe për Suedinë”, tha Hernmarck.
Koordinatorja për zhvillim e OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson tha se pylltaria nuk është vetëm një sektor, por një pasuri dhe resurs i çmuar dhe Kosova ka një resurs të madh.
“Me zbutjen e situatës së Covidit, kemi problemin tjetër lidhur me natyrën, pylltaria nuk është vetëm një sektor dhe një vlerë shoqërore dhe ekonomike, ku shumë njerëz varen nga ky sektor dhe vlerë kulturore”, tha Richardson.