Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZh) ka filluar ekzekutimin e pagesave të subvencioneve (kësti i dytë) për fermerët në vend.
Përmes një komunikate për medie nga MBPZh bëhet e ditur se shpërndarja e subvencioneve ka ardhur pas marrjes së opinionit ligjor nga Zyra e Kryeministrit dhe themelimit të Task-Forcës nga ministri Faton Peci.
E njëjta sipas tyre ka qenë e domosdoshme, pasi ndarja e subvencioneve është aktualisht objekt i hetimeve nga organet e rendit.
Ky është njoftimi i plotë i tyre:
9 milionë euro përkrahje fermerëve
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci ka njoftuar sot se ka filluar ekzekutimi i pagesave të subvencioneve (kësti i dytë).
Pas marrje së opinionit ligjor nga Zyra e Kryeministrit, Ministrisë së Financave, të Punës dhe Transfereve dhe themelimit të Task Forcës nga Ministri Faton Peci, ka filluar procesi i pagesës së subvencioneve të dyta.
Për fermerët dhe opinionin rikujtojmë se procesi i shpërndarjes së subvencioneve në Ministrinë e Bujqësisë ka qenë një proces shumë delikat sepse përfituesit në të kaluarën janë njoftuar pa mbulesë financiare.
Njëkohësisht mënyra e shpërndarjes së subvencioneve në të kaluarën është aktualisht objekt i hetimeve nga organet e rendit. Si rrjedhojë e kësaj, çdo veprim i ndërmarrë ka paraqitur domosdoshmërinë e marrjes së opinioneve ligjore deri në sigurimin e mjeteve si dhe bashkëpunimin e duhur me organet e rendit si garancë e mos dëmtimit të procesit.
Task Forca e themeluar nga Ministri Faton Peci ka për mandat shqyrtimin dhe verifikimin e secilës lëndë e cila gjendet në procedurë të realizimit të pagesave në pajtim me kriteret dhe procedurat e përcaktuara me Udhëzim Administrativ.