“Global UBT Fest 2021” është bërë vendtakim i profesionistëve, ekspertëve e udhëheqësve të institucioneve lokale e qendrore, që po kontribuojnë jashtëzakonisht shumë në ndarjen e njohurive dhe eksperiencave të tyre në fushat dhe dikasteret përkatëse.
Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Shkenca Politike, këtë herë solli në UBT, ministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneralmajor, Franco Federici, me diskutimin e tyre që u përqendrua në fushën e sigurisë.
Në bibliotekën universitare të Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, rektori i këtij institucioni, prof.dr Edmond Hajrizi, mirëpriti të dy mysafirët, duke i njoftuar ata me punën e UBT-së, angazhimin dhe avancimin e institucionit në Artificial Intelligence, rrjetin 5G, realitetin virtual, si dhe laboratorët inovativ të institucionit.
Ai tha se UBT vlerëson se çështjet rreth sigurisë janë shumë të rëndësishme dhe se patjetër që duhet të trajtohen edhe në festivalin ndërkombëtar të dijes “Global UBT Fest 2021”.
“Ne vlerësojmë se studimet rreth sigurisë janë çështje shumë të rëndësishme, që s’mund të injorohen në akademi. Ne kemi zhvilluar një program rreth studimeve të sigurisë, që mendoj se është diçka e re në Kosovë dhe ndoshta edhe në rajon, dhe paralelisht me këtë, UBT vazhdon të jetë universiteti më i njohur ICT në Ballkan”, tha rektori Hajrizi.
Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla shpalosi para studentëve të UBT-së dhe të pranishmëve të tjerë vizionin e ministrisë që ai drejton rreth sigurisë dhe rendit publik.
“Vizioni ynë është që të garantojmë një ambient të sigurt dhe të ofrojmë shërbime cilësore te të gjithë qytetarët. Këtë synojmë ta arrijmë përmes profesionalizmit të shtuar të policisë, transparencës, pajtueshmërisë dhe integritetit institucional, reformave efektive, duke bërë kështu rritjen e besimit publik”, deklaroi mes tjerash ministri Sveçla.
Ndërkaq, komandanti i KFOR-it në Kosovë, Gjeneralmajor, Franco Federici u ndje i priviligjuar për pjesëmarrjen e tij në Akademinë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Shkenca Politike, për të diskutuar rreth sigurisë, duke vlerësuar se pa siguri nuk mund të ketë zhvillim.
“Siguria është vlera më e madhe e botës dhe siguria nuk është koncept abstrakt, pasi që ka ndikim të madh te të gjithë qytetarët. S’ka zhvillim pa siguri, ndaj çështja e parë është siguria”, ka thënë komandanti i KFOR-it në Kosovë, Franco Federici.
Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Shkenca Politike, që është duke u mbajtur në kuadër të festivalit ndërkombëtar të dijes “Global UBT Fest 2021”, do të vazhdojë aktivitetin ditëve në vijim me ligjërata dhe tema interesante që prekin fushën e politikës dhe sigurisë.