Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj ka pritur sot, në përmbyllje të shërbimit në Kosovë, Shefin e Shtabit të KFOR-it, gjeneral brigadierin e Ushtrisë Amerikane në Kosovë, Larry L. Henry.
Me këtë rast, gjeneral Henry i dorëzoi ministrit Mehaj, flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili është ngritur në nderim të tij në Kampin e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it në Film City në Prishtinë. Flamuri shoqërohet me përshkrimin: “Ndriçuar në errësirë nga drita e drejtësisë, ky flamur dëshmon për sakrificën dhe guximin e atyre burrave dhe grave që luftojnë forcat armike që kërcënojnë lirinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe botës.”
Në fund, përshkrimi përmbante edhe thënien e famshme të ish-presidentit të njohur amerikan, Ronald Reagan : “Nuk ka asnjë kufizim në sasinë e të mirës që mund të bësh nëse nuk të intereson kush e merr kredinë”
Nga ana e tij, Ministri Mehaj shprehu falënderimin dhe mirënjohjen më të lartë për kontributin e gjeneral Henryt gjatë shërbimit të tij, dhe për rolin e rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me tërë përkrahjen e madhe e të shumanshme në shtetndërtimin e vendit, ruajtjen e sigurisë, si dhe mbështetjen me rolin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në vend, që është prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it si dhe trendin e zbatimit të Planit të Tranzicionit të FSK-së. Gjeneral Henry gjatë takimit shoqërohej edhe nga pasuesi i tij, bashkëkombësi, gjeneral Maier, i cili siguroi ministrin Mehaj për vazhdimin e bashkëpunim të ngushtë edhe në mandatin e tij.