UBT News

Ministri Krasniqi: Prioritet e kemi mbështetjen e komunave për menaxhimin e pandemisë

Ministri i Administrimit dhe Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se mbështetja e komunave në menaxhimin e pandemisë është prioritet, raporton Ekonomia Online.

Ai në debatin “Fol Hapur”, tha se janë në komunikim me komunat për ta parë gjendjen dhe kërkesat në mënyrë që të ndihmohen nga niveli qendror.

 “Prioritet e kemi mbështetjen e komunave për menaxhimin e pandemisë, pra të kenë mbështetjen e nivelit qendror. Jemi në koordinim të drejtpërdrejt. Jemi në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë për furnizim me barna të listës esenciale, po mundohemi që komunat të përfitojnë nga buxheti ynë”, tha ai.

Krasniqi, tha se brenda 100 ditëshit do të përgatisim një dokument se çfarë duhet të punohet dhe ndikimin që pandemia ka pasur te komunat.

 “Pandemia kërkon kujdes të veçantë, por kemi filluar dhe brenda 100 ditëshit do të përgatisim një dokument se çka është mangu dhe çfarë duhet të bëjmë lidhur me ndikimin që ka lënë pandemia në komunat”, tha ai.

Krasniqi foli edhe për prioritetet tjera që ka në krye të MAPL-së, ku përmendi transparencën dhe llogaridhënien.

“Qeverisja e hapur do të jetë prioritet i Ministrisë sonë, me qëllim zbatimin e planit nacional për qeverisje të hapur. Fillimi i punimeve dhe platformës nacionale të pushtetit lokal me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Termat e referencës do të përfundojnë në 100 ditët e para”, tha Kransiqi.

Exit mobile version