Ministri i Zhvillimit dhe Investimeve në Greqi, Adonis Georgiadis është treguar mjaft i sinqertë për kapacitetet e vendit për përballimin e një vale tjetër të pandemisë teksa ishte duke folur për pronarët e clubeve të natës.
Ministri theksoi se një mbyllje tjetër për shkak të pandemisë do të përkthehej në falimentim të shtetit grek, prandaj sipas tij secili duhet të marrë përgjegjësitë dhe të tregohet i kujdesshëm në zbatimin e rregullave anti-Covid, raporton abcnews.al.
“A doni që të mbyllemi sërish në dimër? Në rast të një mbylljeje tjetër nga pandemia do të na duhet të përballemi me faliment, pasi nuk kemi më para. Në vend që të ankoheni për qeverinë, thuajini artistëve që t’i bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen masivisht, në mënyrë që të mos jemi të detyruar që të mbyllemi gjatë dimrit”, tha ai.
“Shteti po jep mundësinë e një vaksine falas për të gjithë. Nëse nuk do të bësh vaksinë, atëherë bëj një test të shpejt, por nuk mund të sillemi sikur s’po ndodh asgjë”, shtoi ai.
Greqia u përball me një situatë të vështirë prej koronavirusit duke u detyruar që bizneset të qendrojnë mbyllur për disa muaj, ndërkohë që qeveria shpenzoi shuma të mëdha parash në formë subvencionesh për bizneset dhe individët e prekur prej masave të marra.