Ministrat e Shëndetësisë të vendeve të G7 janë të shqetësuar për rritjen e numrit të personave të prekur me Omicron, një variant i COVID-19 dhe theksuan rëndësinë e punës së përbashkët në përgjigjen ndaj valës së re të infeksionit.
Ministrat e Shëndetësisë të Britanisë së Madhe, SHBA-së, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë u takuan për të diskutuar përhapjen e variantit Omicron, pas së cilës ata lëshuan një deklaratë të përbashkët.
“Ministrat, të cilët janë thellësisht të shqetësuar për rritjen e numrit të rasteve, pajtohen se këto zhvillime duhet të shihen si kërcënimi më i madh për shëndetin publik global për momentin”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë thuhet se bashkëpunimi, shkëmbimi i të dhënave dhe përvojave janë më të rëndësishme se kurrë dhe se ky do të jetë çelësi për zgjidhjen e situatës që ndryshon me shpejtësi.
Ministrat përsëritën angazhimin e tyre ndaj premtimeve për ndërtimin e mbrojtjes dhe luftimin e infeksionit, të përfshira në deklaratat e grupeve G7 dhe G20.
“Ministrat kanë rënë dakord që përveç shkëmbimit të informacionit, është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku për t’iu përgjigjur valës së Omicron-it në rritje të shpejtë”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu u tha se ministrat theksuan rëndësinë e qasjes së barabartë në diagnostikim, sekuencë të gjenomit, vaksinat dhe terapitë.
“Përveç kësaj, ata janë dakord edhe për rëndësinë gjithnjë në rritje të fushatave mbështetëse dhe testimeve të rregullta si dhe masave të vazhdueshme jo farmaceutike”, thuhet në deklaratë.