Ministrat e Jashtëm të Austrisë dhe Estonisë kanë folur për mundësinë e një pakoje sanksionesh të gjashtë të BE-së kundër Rusisë, me ministrin e Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg “i bindur” se pakoja do të “jetë gati në ditët në vijim”.
BE-ja ka rritur veprimet e saj ekonomike kundër Rusisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Duke folur përpara një takimi të Komitetit të Përbashkët Ministror BE-Kanada në Bruksel, Schallenberg tha se pako e gjashtë e sanksioneve do të ishte “shumë thelbësore”, por kishte ende “një nevojë për diskutim”. I gjithë kompleksi ushtarak rus do të jetë në shënjestër në sanksionet e ardhshme, shtoi ai.
Ministrja e Jashtme e Estonisë, Eva-Maria Liimets tha se përpara “diskutimeve shumë të rëndësishme”, ajo shpreson që vendet anëtare të BE-së “do të bëjnë përparim dhe kjo pako do të miratohet dhe gjithashtu nafta do të përfshihet”.
Liimets shtoi se BE-ja “duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, ne duhet të vazhdojmë t’i japim Ukrainës ndihma humanitare, gjithashtu ndihmë ushtarake mbrojtëse, por gjithashtu të diskutojmë me ukrainasit se si mund t’i mbështesim ata për të rindërtuar vendin e tyre”./UBTNews/