Bashkimi Evropian do të vendosë të hënën sanksione ndaj disa zyrtarëve të tjerë iranianë të dyshuar se kanë luajtur një rol në shtypjen e protestuesve, por nuk do të shtojë Trupat e Gardës Revolucionare të Republikës Islamike në listën e zezë të grupeve terroriste të BE-së.
Blloku 27-vendesh ka vendosur tashmë tre raunde sanksionesh ndaj zyrtarëve dhe organizatave iraniane – përfshirë ministrat e qeverisë, oficerët ushtarakë dhe policinë morale të Iranit – për abuzime të të drejtave të njeriut mbi protestat që shpërthyen në Iran në mes të shtatorit për vdekjen e Mahsa Aminit.
Të paktën katër persona janë ekzekutuar që nga fillimi i demonstratave, pas gjykimeve të shpejta me dyer të mbyllura. Të paktën 519 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 19,200 të tjerë janë arrestuar, sipas Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran.
Lëvizja është bërë një nga sfidat më të mëdha për teokracinë shiite të Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, përcjell UBT News.
Ndërsa ministrat e jashtëm të BE-së, të mbledhur në Bruksel, do të synojnë më shumë zyrtarë me ndalime udhëtimi dhe ngrirje të aseteve, ata nuk do të ecin përpara me futjen e Korpusit të Gardës Revolucionare në listën e zezë, pavarësisht apelit të javës së kaluar nga PE për ta bërë këtë.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili kryesoi takimin, tha se kjo mund të ndodhë vetëm pasi një gjykatë në një vend anëtar të marrë një vendim që dënon trupën e gardës iraniane për akte terroriste./UBTNews/