UBT News

“Minatori” hap Festivalin “Rame Lahaj” me një mbrëmje nostalgjie dhe rocku

Grupi legjendar “Minatori” ka hapur edicionin e gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, duke sjellë një koncert që bashkoi nostalgjinë, rockun dhe emocionet e publikut.

Në frymën e motos së sivjetme, “Play Music, Not War”, festivali nisi në “Marigona Hill” me një performancë të veçantë të një prej grupeve më të rëndësishme të rockut kosovar, duke dëshmuar se muzika tejkalon zhanret dhe bashkon breza të ndryshëm.

Publiku këndoi pothuajse çdo këngë së bashku me bendin, ndërsa atmosfera u shoqërua me pamje arkivore të grupit dhe fotografi të Prishtinës së dikurshme, duke rikthyer kujtimet e një epoke të veçantë të kryeqytetit.

Ndër momentet më emocionuese ishte interpretimi i baladës “A thua ëndërr ishe ti”, e cila u këndua njëzëri nga të pranishmit. Energji tjetër sollën hitet “E di se s’do të shoh”, “Me dikon me t’pa”, “Krejt njëjtë”, “Mihanja”, si dhe këngët e njohura “Të dua sa Kosovën” dhe “Molla me sherbet”, që vazhdojnë të mbeten pjesë e identitetit të rockut në Kosovë.

Me Naser Gjinovcin në vokal, Mufail Limanin në kitarë, Dëfrim Behlulin në tastierë dhe Premton Maliqin në bateri, “Minatori” rikujtoi rrugëtimin e tij artistik që nga vitet ’80, duke sjellë këngë që flasin për dashurinë, jetën urbane dhe realitetin shoqëror.

Frontmeni i grupit, Naser Gjinovci, e cilësoi pjesëmarrjen në Festivalin “Rame Lahaj” si një privilegj të veçantë.

“Është një përjetim i llojit të vet dhe është privilegj për grupin dhe për mua personalisht. Na bën shumë të lumtur që këngët janë bartur nga gjenerata në gjeneratë dhe vazhdojnë të zgjojnë kujtime e emocione te publiku”, u shpreh ai./A.K/

Exit mobile version