Milwaukee Bucks ka arritur të marrë një fitore të madhe në udhëtim te Atlanta Hawks në ndeshjen e tretë finale të Konferencës së Lindjes.
Bucks kanë triumfuar me 11 pikë epërsi, 102:113, falë një paraqitje të jashtëzakonshme të Khris Middleton në çerekun e fundit të ndeshjes.
Middleton ka shkëlqyer në 12 minutat e fundit të ndeshjes, duke shënuar 20 pikë nga 30 sa shënoi e gjithë skuadra.
Ylli amerikan ishte më i miri në parket gjatë gjithë ndeshjet me 38 pikë, 11 kërcime e shtatë asistime, derisa me lojë të mirë u paraqit edhe Giannis Antetokounmpo me 33 pikë e 11 kërcime.
Trae Young në anën tjetër ishte më i miri te Hawks me 35 pikë, por që nuk mjaftuan për fitore.
Tani Bucks janë në epërsi 2-1, derisa ndeshja e katërt do të zhvillohet përsëri në State Farm Arena të Atlantas.