UBT News

Milot Rashica në listën e largimeve të Beshiktashit për afatin kalimtar të janarit

Beshiktashi pritet të bëjë ndryshime në skuadër gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa në mesin e lojtarëve që mund të largohen është edhe futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica.

Sipas mediumit turk “Yeni Mesaj”, Rashica është emri i parë në listën e tre lojtarëve të huaj me të cilët klubi nga Stambolli planifikon të ndahet gjatë afatit kalimtar të dimrit.

Beshiktashi synon të përforcohet në tri pozicione, përkatësisht në qendër të mbrojtjes, në krahun e djathtë dhe në mesfushë. Për të krijuar hapësirë për transferimin e tre futbollistëve të rinj të huaj, klubi duhet të lirojë po aq vende në skuadrën aktuale.

Rashica, i cili ka kontratë me klubin turk deri në fund të këtij edicioni, nuk ka arritur të sigurojë hapësirën e dëshiruar këtë sezon, duke u aktivizuar kryesisht si rezervist.

Mbetet të shihet nëse Beshiktashi do të vendosë përfundimisht për largimin e reprezentuesit kosovar gjatë janarit.

D.L

Exit mobile version