Skuadra e Milanit do të përpiqet që deri në fund të afatit kalimtar të janarit të sigurojë shërbimet e sulmuesit të krahut, brazilianit Douglas Costa ka raportuar të premten “Tuttosport”.
Mësohet se Milani tashmë ka kontaktuar Juventusin në lidhje me Costan për të cilin është i gatshëm të paguajë rreth 20 milionë euro dëmshpërblim. Costa para fillimit të këtij edicioni u huazua te Bayern Munichu por ekipi bavarez nuk do ta shfrytëzojë të drejtën e blerjes së tij për shkak se nuk e ka bindur trajnerin Hansi Flick.
Costa këtë edicion ka një gol e dy asistime për Bayernin në 19 paraqitje në të gjitha garat kurse me Juventusin ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. 30-vjeçari me fanellën e Juventusit ka fituar tre tituj kampioni të Italisë.