UBT News

Milani hap bisedimet me Marseille për Adrien Rabiot, Allegri kërkon përforcim në mesfushë

Milani ka nisur zyrtarisht bisedimet me Olympique Marseille për transferimin e mesfushorit francez Adrien Rabiot, i cili mbetet një profil i pëlqyer nga trajneri Massimiliano Allegri, me të cilin ka bashkëpunuar më herët te Juventus.

Me më pak se 144 orë deri në përfundimin e afatit kalimtar të verës, klubi kuqezi po përballet me një kalendar të ngarkuar dhe kërkon përforcime në të gjitha repartet. Megjithatë, vëmendja kryesore është përqendruar në mesfushë, ku drejtuesit po punojnë intensivisht për të konkretizuar pistën Milan-Marseille me objektivin e afrimit të Rabiot.

Sipas Gazzetta dello Sport, qëllimi i klubit është të shtojë eksperiencë dhe stabilitet në mesfushë. Luka Modric, ndonëse mbetet një figurë me peshë në ekip, nuk mund të përballojë më vetë barrën e krijimtarisë dhe lidershipit. Edhe paraqitjet e Fofana dhe Loftus-Cheek nuk kanë bindur plotësisht stafin teknik, duke rikthyer shenjën “punë në progres” në këtë repart.

Rabiot, i cili ka cilësi të spikatura me këmbën e majtë dhe është i njohur për qëndrueshmërinë e tij taktike, shihet si profili i duhur për të përmirësuar strukturën e mesfushës. Marrëdhënia pozitive me Allegrin pritet të lehtësojë afrimin e tij në Milano.

Ndërkohë, marrëdhëniet e mesfushorit me Marseille janë tensionuar pas një konflikti me shokun e skuadrës Jordan Veretout, si dhe për shkak të raportit të ftohtë me trajnerin Roberto De Zerbi, i cili thuhet se e ka nxjerrë jashtë planeve të tij. Kjo ka shtyrë Marseille të mos e pengojë largimin e Rabiot, ndërsa Milani ka ndërmarrë kontaktet e para për të testuar gatishmërinë e lojtarit.

Çmimi i tij në merkato vlerësohet rreth 15 milionë euro. Deri tani, Marseille nuk e ka konsideruar Ismael Bennacer si pjesë të një shkëmbimi të mundshëm, por të dy klubet mbeten të hapura për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë për të përmbyllur operacionin para mbylljes së merkatos më 1 shtator.

Exit mobile version