UBT News

Mijëra tifozë mirëpresin Argjentinën, edhe pse u kthye pa trofe

Mijëra tifozë sfiduan të ftohtin dhe reshjet e shiut të hënën për t’i rezervuar një pritje të ngrohtë përfaqësueses së Argjentinës në futboll, e cila u kthye në atdhe pas humbjes në finalen e Botërorit ndaj Spanjës. Në mesin e ekipit mungonte ylli Lionel Messi.

Ky nuk ishte rikthimi që kishin ëndërruar argjentinasit. Katër vjet më parë, miliona njerëz kishin pushtuar rrugët për të festuar triumfin historik në Botërorin e Katarit. Këtë herë atmosfera ishte ndryshe, por mbështetja për ekipin nuk mungoi.

Qindra e mijëra tifozë dolën në rrugë për të kënduar, kërcyer dhe ndezur fishekzjarrë, duke shprehur mirënjohjen për lojtarët pavarësisht humbjes në finale.

Lionel Messi nuk u pa duke zbritur nga avioni, ndërsa në Argjentinë nuk u kthyen menjëherë as disa futbollistë të tjerë të kombëtares.

Trajneri Lionel Scaloni dhe pjesa tjetër e ekipit u pritën ngrohtësisht. Ata zhvilluan një parakalim me autobus të hapur, duke përshëndetur mijëra tifozë të mbledhur përgjatë rrugëve.

Shumë prej tifozëve vlerësuan se momenti më i madh i këtij Botërori për Argjentinën mbeti fitorja 2:1 ndaj Anglisë në gjysmëfinale. Ndërkohë, Messi reagoi në rrjetin social Instagram, ku shkroi se “dhimbja është e madhe dhe do të duhet shumë kohë që kjo plagë të shërohet”.

Në finalen e Botërorit, Spanja dominoi ndaj Argjentinës dhe e mposhti me lojë bindëse. Pas ndeshjes, përfaqësuesja argjentinase u përball edhe me kritika për incidentet në fushë, pasi disa lojtarë u përfshinë në përplasje me futbollistët spanjollë.

D.L

Exit mobile version