Sheshi kryesor “Skënderbeu” në Prishtinë u mbush përsëri nga mijëra qytetarë të dielën, në natën e pestë radhazi të protestave kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protestat kanë vijuar çdo mbrëmje që nga 16 shtatori, kur Gjykata Speciale shpalli fajtorë për katër akuza për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
Tubimi i së dielës nisi me shpalosjen e një flamuri të madh kombëtar shqiptar në mes të sheshit, teksa turmës i prinin brohoritjet e fuqishme “UÇK, UÇK, UÇK”. Në mesin e protestuesve ishin të pranishëm edhe familjarët e katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Çlirim Haziri, një nga organizatorët kryesorë të protestës, deklaroi se kërkesa themelore e qytetarëve mbetet ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.
Në Kosovë, dënimi i ish-krerëve të UÇK-së është pritur me indinjatë të thellë, ku ata konsiderohen si heronj kombëtarë për rolin e tyre në luftën e viteve 1998-1999 kundër forcave serbe.
Të katër të dënuarit i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe kanë paralajmëruar ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë në Gjykatën e Apelit të Speciales.
Sipas të dhënave të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, gjatë periudhës 1998-1999 janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima, ku shumica dërrmuese e tyre ishin civilë shqiptarë të vrarë nga forcat serbe.
Foto; REL
