UBT News

Mijëra maturantë nga trojet shqipfolëse zgjedhin UBT-në – një destinacion akademik që tejkalon kufijtë

UBT është bërë një nga destinacionet më të kërkuara akademike nga të rinjtë nga trojet shqipfolëse, duke mirëpritur çdo vit maturantë dhe studentë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe vise të tjera shqiptare. Për ta, zgjedhja e UBT-së nënkupton një mundësi për të studiuar në Kosovë, si dhe një mundësi për t’u bërë pjesë e një ekosistemi akademik me standarde ndërkombëtare, mundësi globale dhe lidhje të fuqishme me tregun e punës.

Në 25-vjetorin e themelimit, UBT e ndërton këtë rrugëtim mbi një kombinim të cilësisë akademike, kërkimit shkencor, inovacionit, teknologjisë dhe ndërkombëtarizimit, të dëshmuar përmes rangimeve prestigjioze, akreditimeve dhe vlerësimeve ndërkombëtare.

Rangime ndërkombëtare që dëshmojnë cilësinë dhe ndikimin

Një nga dëshmitë më të fundit është Times Higher Education (THE) Impact Rankings 2026, ku UBT është pozicionuar në grupin institucioneve më të mira në botë për ndikimin në zhvillimin e qëndrueshëm. Në krahasimin rajonal, UBT është renditur si institucioni akademik më i lartë ndër institucionet e përfshira nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

UBT është vlerësuar në të 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, duke dëshmuar ndikimin e tij në fusha që shkojnë përtej arsimit – nga kërkimi shkencor dhe inovacioni, te shëndeti, barazia, energjia e pastër, zhvillimi ekonomik dhe angazhimi me komunitetin.

Në SCImago Institutions Rankings 2026, UBT është renditur si institucioni më i mirë në Kosovë për kërkim shkencor, ndërsa në Webometrics është pozicionuar si institucioni më i mirë privat i arsimit të lartë në Kosovë dhe në hapësirën shqipfolëse, si dhe i treti në hapësirën shqipfolëse për citimet e publikimeve shkencore.

Po ashtu, UBT është renditur lart në WURI – World University Rankings for Innovation, në një platformë ku vlerësohen universitetet për inovacion dhe ndikim, krahas emrave të njohur ndërkombëtarisht si Harvard, MIT, Oxford dhe Stanford.

Në GreenMetric World University Rankings, UBT është pozicionuar ndër 250 universitetet më të mira në botë për veprimet ndaj ndryshimeve klimatike, duke e lidhur zhvillimin akademik me qëndrueshmërinë mjedisore.

Akreditime dhe njohje prestigjioze ndërkombëtare

Një tjetër dëshmi e rëndësishme e standardeve ndërkombëtare të UBT-së është akreditimi nga British Accreditation Council (BAC). Në vitin 2026, UBT u bë institucioni i parë dhe i vetëm në Kosovë dhe në rajon që mori këtë akreditim prestigjioz për një periudhë katërvjeçare. Procesi i vlerësimit përfshiu programet akademike, cilësinë e mësimdhënies, infrastrukturën, menaxhimin institucional, shërbimet për studentët dhe mekanizmat e përmirësimit të vazhdueshëm.

Në vitin 2026, UBT ka zgjeruar edhe më tej profilin e tij ndërkombëtar përmes njohjeve të reja, përfshirë akreditimin nga International Federation of Sports Medicine (FIMS) dhe njohjen e cilësisë nga AESOP – Association of European Schools of Planning për fushën e planifikimit hapësinor dhe urban.

Çmime që e vendosin UBT-në në hartën globale të arsimit

Përveç rangimeve dhe akreditimeve, UBT është vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare për inovacion, sipërmarrje dhe angazhim shoqëror. Ndër to veçohet çmimi “European Young Entrepreneurial University of the Year” nga Triple E Awards, ndërsa në edicionin e fundit të Global Triple E Awards, UBT u shpall “Engaged University of the Year”. Në të njëjtin vlerësim, Rektori Prof. Dr. Edmond Hajrizi u shpall “University Leader of the Year – Runner up”, duke u renditur ndër liderët më të vlerësuar globalisht në arsimin e lartë.

UBT është gjithashtu anëtar i ACEEU – Accreditation Council for Entrepreneurial & Engaged Universities, rrjet global që lidh institucione të arsimit të lartë të angazhuara në sipërmarrje, inovacion dhe ndikim shoqëror.

Një institucion që nuk njeh kufij

Këto rezultate i japin një dimension të ri zgjedhjes së UBT-së nga maturantët e trojeve shqipfolëse. Përtej afërsisë gjeografike dhe gjuhës së përbashkët, UBT ofron një përvojë akademike që synon t’i lidhë studentët me standardet, teknologjitë dhe mundësitë e një bote gjithnjë e më globale.

Me mbi 50 programe Bachelor dhe Master, më shumë se 200 laboratorë modernë, Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik, një rrjet prej 240 partnerësh ndërkombëtarë dhe një ekosistem të gjerë të kërkimit, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, UBT ofron mundësi për zhvillim akademik dhe profesional në një mjedis të orientuar nga e ardhmja.

Nga teknologjia, inxhinieria dhe biznesi, te arkitektura, drejtësia, shëndetësia, sporti, mediat, artet, gjuhët dhe shkencat sociale, studentët mund të zgjedhin nga një gamë e gjerë programesh të lidhura me kërkesat e tregut të punës dhe profesionet e së ardhmes.

Me një histori 25-vjeçare, rangime ndërkombëtare, akreditime prestigjioze, çmime globale dhe një ekosistem të ndërtuar rreth arsimit, shkencës dhe inovacionit, UBT vazhdon të ndërtojë një destinacion ku të rinjtë nga Ulqini, Presheva, Tetova, Shkupi, Kukësi, Shkodra, Tirana dhe qytete të tjera të trojeve shqipfolëse mund të studiojnë, zhvillohen, lidhen me botën dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.

 

Exit mobile version