UBT News

Mijëra banorë në Irlandë, pa ujë dhe energji elektrike mes motit të keq

Dhjetëra mijëra shtëpi dhe biznese në Irlandë janë pa ujë dhe energji elektrike në mes të një të ftohti të ashpër që ka përfshirë të gjithë ishullin. Moti i ashpër i dimrit, i shoqëruar me borë të madhe dhe temperatura të ulëta, ka shkaktuar mbylljen e disa shkollave dhe kufizime të transportit publik, ndërsa shërbimet e kujdesit shëndetësor janë anuluar për një pjesë të pacientëve.

Bordi Irlandez i Furnizimit me Energji Elektrike (ESB) njoftoi se 41,000 shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike që nga e hëna në mëngjes. Autoritetet parashikojnë që mund të duhen disa ditë për të rivendosur furnizimin me energji për të gjithë klientët.

Po ashtu, Autoriteti irlandez i ujit, “Uisce Éireann”, njoftoi se një numër i konsiderueshëm banorësh ishin pa akses në ujë pas reshjeve të borës në rajonin jugperëndimor të vendit. Ata bëjnë të ditur se janë duke punuar ngushtë me ESB-në për të rivendosur furnizimin me energji në impiantet e trajtimit të ujit dhe stacionet e pompimit, me shpresën se shërbimet mund të rikthehen deri të hënën në mesditë.

Megjithatë, të dyja agjencitë theksuan se bora dhe kushtet e këqija të motit po krijojnë vështirësi për aksesin në zonat më të prekura. Si pasojë e kushteve të motit, Ekzekutivi i Shërbimit Shëndetësor ka anuluar takimet klinike dhe shërbimet jo urgjente për pacientët ambulatorë në zonat më të goditura nga moti i keq. Ndërkohë, shkollat janë mbyllur në disa qarqe, veçanërisht në ato të Carlow dhe Kilkenny, ku kushte të tilla nuk lejojnë zhvillimin e mësimit normal.

Gjithashtu, “Bus Éireann” informoi se disa linja transporti në jug të vendit janë bllokuar për shkak të kushteve të këqija të rrugëve dhe bora që ka bllokuar disa akse./UBTNews/

Exit mobile version