Legjenda e futbollit francez, Michel Platini, ka rihapur një betejë të ashpër ligjore duke dorëzuar një padi penale në Francë kundër presidentit aktual të FIFA-s, Gianni Infantino, si dhe pesë zyrtarëve të tjerë të lartë zviceranë të drejtësisë dhe futbollit.
Sipas raportimeve të ESPN, Platini, i cili vitin e kaluar u shpall plotësisht i pafajshëm nga gjykatat zvicerane pas një procesi të gjatë, pretendon se ndaj tij ka pasur një konspiracion me akuza të rreme dhe ushtrim ndikimi për ta penguar që të marrë drejtimin e FIFA-s një dekadë më parë. Përveç padisë penale, avokatët e tij pritet të nisin edhe një padi civile për të kërkuar dëmshpërblim financiar nga shtëpia botërore e futbollit.
Në deklaratën e publikuar nga zëdhënësi i Platinisë thuhet se veprimet ligjore synojnë të zbardhin prapaskenat e vitit 2015, duke pretenduar një skemë të “konspiracionit të akuzave të rreme” dhe “ushtrimit të ndikimit” për ta ndaluar kandidimin e tij për president të FIFA-s. Sipas ESPN, ky zhvillim vjen vetëm pak ditë para se Infantino të hapë zyrtarisht Kampionatin Botëror në Amerikën e Veriut.
Në vitin 2015, Platini shihej si pasardhësi kryesor i Sepp Blatter në krye të FIFA-s, pas skandaleve të korrupsionit që tronditën organizatën. Megjithatë, një hetim zviceran mbi një pagesë prej 2 milionë frangash zvicerane që Blatter i kishte bërë Platinisë çoi në përjashtimin e të dyve nga futbolli dhe i hapi rrugën Gianni Infantino-s për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur president i FIFA-s në vitin 2016.
Në mesin e pesë personave të tjerë të shënjestruar nga padia përfshihen edhe ish-Prokurori i Përgjithshëm i Zvicrës në vitin 2015, Michael Lauber, si dhe ish-drejtori ligjor i FIFA-s, Marco Villiger.
Platini dhe Blatter u shpallën më herët të pafajshëm në gjyqin e parë në Zvicër në vitin 2022, si dhe sërish vitin e kaluar pas ankesës së prokurorisë federale. Deri më tani, FIFA nuk ka dhënë një koment zyrtar për paditë e fundit të ngritura nga Platini.
Foto: Kosovapress
D.L
