Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani priti sot ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe ekipin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.
Bashkëbisedimi u fokusua tek Reforma në Drejtësi, proces që ka nisur prej 5 vitesh në Shqipëri.
Metani bëri një prezantim të Zyrës së ILD-së dhe punës si institucioni më i ri i dalë nga Reforma në Drejtësi, ndërsa Haxhiu tha se, Kosova është e interesuar të marrë nga Shqipëria përvojën për procesin e Vetingut të magjistratëve.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë shprehu gatishmërinë, në çdo rast që do i kërkohet, që të japë eksperiencën e punës së institucionit që drejton, çka u vlerësua pozitivisht nga ministrja e Drejtësisë së Kosovës.
“Ky është një proces që ne e kishim të domosdoshëm. Pavarësisht vështirësive e sfidave është një proces që ka sjellë sukses. Në këtë drejtim inkurajoj përpjekjet tuaja për reformimin e drejtësisë, edhe pse është një rrugë e gjatë dhe aspak e lehtë. Sot prokurorët dhe gjyqtarët në Shqipëri, janë të mbrojtur me ligj e nuk ka mundësi të ndikohen nga askush, vetëm nëse e duan vetë një gjë të tillë”, tha Metani.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Metani dhe ministrja e Drejtësisë, Haxhiu u dakordësuan që të mbajnë kontaktet për shkëmbim eksperience në këtë sfidë të re për Kosovën./ATSH