UBT News

Messi vazhdon të shkruajë histori, vendos rekord të ri në Kupën e Botës

Shënimi i golave dhe thyerja e rekordeve janë bërë sinonim i Lionel Messit, dhe superylli argjentinas e dëshmoi këtë edhe një herë të hënën në Kupën e Botës 2026.

Kapiteni i Argjentinës, të cilin shumë e konsiderojnë futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave, realizoi dy gola në fitoren 2:0 ndaj Austrisë, duke e çuar në 18 numrin e golave të shënuar në historinë e Kupës së Botës dhe duke vendosur një rekord të ri në turneun më prestigjioz të futbollit.

“Përtej gjithçkaje, jam shumë i lumtur për fitoren. Ishte një ndeshje e vështirë dhe shumë e luftuar. Kjo fitore na jep qetësi për sfidat që na presin. Të gjitha ndeshjet në këtë Kupë Bote janë të barabarta dhe shumë intensive. Po e shijoj këtë moment dhe dua ta ndaj me shokët e ekipit”, tha Messi pas ndeshjes.

Golin e parë ndaj Austrisë, Messi e realizoi në minutën e 38-të, vetëm dy ditë para se të festojë ditëlindjen e 39-të. Me këtë gol, ai shënoi në ndeshjen e gjashtë radhazi në Kupën e Botës, duke iu bashkuar francezit Just Fontaine dhe legjendës braziliane Jairzinho si futbollistët e vetëm që kanë arritur këtë sukses.

Messi kishte barazuar rekordin e gjermanit Miroslav Klose me “hat-trickun” e realizuar në fitoren 3:0 ndaj Algjerisë në ndeshjen hapëse të Grupit J. Kundër Austrisë pati mundësinë ta thyente rekordin që në minutën e nëntë, por humbi një penallti, duke e dërguar topin jashtë portës.

“Pati momente kur isha shumë i zemëruar që humba penalltinë, por arrita ta kompensoja më vonë”, u shpreh ai.

Argjentina siguroi kualifikimin në fazën eliminatore pas dy fitoreve në po aq ndeshje në grup, ndërsa Messi ka realizuar të pesë golat e skuadrës deri tani në Botërorin e tij të gjashtë.

Rekordi historik u vendos me golin e tij të parë ndaj Austrisë, të shënuar në minutën e 38-të pas asistimit të Facundo Medina. Më pas, në kohën shtesë, Messi realizoi edhe golin e dytë personal dhe të 18-tin në Kupat e Botës.

Austria, e cila e nisi turneun me fitore 3:1 ndaj Jordanisë, do ta kërkojë kualifikimin në ndeshjen e fundit të grupit kundër Algjerisë në Kansas City.

Ndërkohë, Argjentina do të rikthehet në stadiumin AT&T për t’u përballur me Jordaninë në sfidën e fundit të fazës grupore.

D.L

Exit mobile version