UBT News

​Messi shkëlqen me dy gola, Inter Miami siguron fazën eliminatore në MLS

Lionel Messi ishte protagonist absolut i Inter Miamit në fitoren bindëse 4-0 ndaj New York City FC, duke e dërguar skuadrën nga Florida zyrtarisht në fazën “play-off” të Kupës MLS.

Superylli argjentinas shënoi dy gola dhe asistoi në një tjetër, duke e çuar në 24 numrin e golave këtë sezon në 23 ndeshje, dy më shumë se rivali Denis Bouanga i LAFC, duke kryesuar kështu listën e golashënuesve të kampionatit amerikan.

Luis Suarez u rikthye pas një pezullimi prej tre ndeshjesh dhe gjeti rrugën e rrjetës nga penalltia, ndërsa Baltazar Rodriguez shënoi golin e parë për Miamin në minutën e 43-të, pas një aksioni të kombinuar me Messin dhe Sergio Busquets.

Messi vulosi suksesin me dy perla personale në minutat e 74-t dhe 86-të, duke treguar sërish klasin e tij në stadiumin “City Field” të Nju Jorkut.

Miami aktualisht mban vendin e tretë në Konferencën Lindore, pesë pikë pas liderit Philadelphia, por me dy ndeshje më pak të luajtura, duke mbetur ende në garë për trofeun “Supporters’ Shield”.

Messi, që do të luajë për herë të dytë në “play-off”-et e MLS, ka shënuar dhe asistuar në tri ndeshje radhazi, duke forcuar kandidaturën e tij për çmimin Lojtari më i Vlefshëm i vitit 2025./S.K/KP/

Exit mobile version