UBT News

Messi sa nuk fillon të qajë kur gazetarja e lavdëron atë gjatë intervistës

Futbollisti Lionel Messi ishte pjesë e një interviste tejet emocionale pas paraqitjes fantastike për Argjentinën mbrëmë kundër Kroacisë.

Messi shënoi një gol dhe prodhoi një asistim tejet të bukur përgjatë fitores 3:0 që çoi Argjentinën drejt kualifikimit në finalen e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Ishte një paraqitje magjepsëse nga 35 vjeçari, i cili tani është vetëm një hap larg që të kompletojë karrierën e tij të futbollit me titullin e Kupës së Botës.

Pas ndeshjes, Messi mori brohoritjen e dhjetëra mijëra tifozëve të Argjentinës brenda stadiumit “Lusail Iconic”. Ata e dinin se kishin parë diçka të veçantë.

Messi, ashtu edhe siç e meritonte, mori çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes, të cilin ia dha Sergio Aguero.

Ndërkaq, gjatë një interviste pas ndeshjes, Messi u lavdërua nga një gazetare me një fjalim emocionues për kontributin e tij ndaj Argjentinës, gjë kjo që e la Messin të përlotur.

Fjalimi është përkthyer kështu: “Gjëja e fundit që unë dua të ta them ty, dhe nuk është një pyetje, por unë vetëm desha të them: Finalja e Kupës së Botës po vjen dhe sigurisht, ne të gjithë duam ta fitojmë trofeun. Unë dua të them që pavarësisht rezultatit ka diçka që njerëzit nuk mund të ta largojnë ty kurrë dhe është fakti që je lidhur me argjentinasit, me secilin prej tyre. Flas seriozisht. Nuk ka asnjë fëmijë i cili nuk e ka fanellën e ekipit, pa marrë parasysh se a është fals, e vërtetë apo një e bërë”, tha gazetarja.

“Me të vërtetë, ti ke lënë gjurmë në jetën e secilit, dhe kjo, kjo për mua është më shumë se çdo Kupë e Botës. Askush nuk mund ta merr këtë gjë nga ti dhe ky është falënderimi im. Për një sasi të tillë lumturie që u sjell shumë njerëzve, shpresoj seriozisht që t’i marrësh këto fjalë në zemrën tënde, sepse me të vërtetë besoj se është më e rëndësishme se të fitosh një Kupë Bote dhe ju tashmë e keni atë. Kështu që faleminderit, kapiten”, shtoi më tej gazetarja.

Gjatë gjithë kohës, Messi e shikonte në sy gazetaren dhe pothuajse ishte afër që të shpërthente në lot. Ishte vërtet një moment i bukur.

Exit mobile version