Ajo që u raportua gjatë ditës së martë tashmë është zyrtare: Lionel Messi është përfshirë në listën e lojtarëve të ftuar nga përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni.
Superylli i Inter Miamit do të rikthehet në përfaqësuese për një ndeshje të veçantë përshëndetëse, e cila do të zhvillohet në stadiumin legjendar “Monumental” të Buenos Airesit.
Argjentina do t’i zhvillojë tri ndeshje miqësore në këtë periudhë. Kampionët e botës do të përballen me Bolivinë më 30 shtator, Burkina Fason më 3 tetor dhe Beninin tri ditë më vonë. Pikërisht sfida ndaj Beninit pritet të jetë momenti special për Messin.
Kjo do të jetë një tjetër paraqitje simbolike e yllit argjentinas me fanellën e kombëtares, pas një karriere ndërkombëtare të jashtëzakonshme, kulmi i së cilës ishte triumfi në Kupën e Botës në Katar në vitin 2022.
Messi ka fituar gjithashtu dy edicione radhazi të Kupës së Amerikës, në vitet 2021 dhe 2024, duke kompletuar një prej kapitujve më të rëndësishëm në historinë e futbollit argjentinas.
Me 207 paraqitje, 125 gola dhe 68 asistime për Argjentinën, Messi ka lënë pas një rekord të jashtëzakonshëm.
Tani, “Monumentali” po përgatitet të mirëpresë edhe një herë kapitenin legjendar, në një natë që pritet të jetë e veçantë për futbollin argjentinas.
D.L
