Lionel Messi pritet t’i japë lamtumirën fanellës së kombëtares së Argjentinës sonte, në përballjen ndaj Beninit.
Ndeshja, e cila zhvillohet në orën 20:00 në stadiumin Monumental të Buenos Airesit, pritet të jetë paraqitja e fundit e yllit argjentinas me kombëtaren.
Në prag të kësaj sfide emocionale, tifozët në qytetin e lindjes së Messit, Rosario, kanë zbuluar një fanellë gjigante të kombëtares argjentinase me mbishkrimin “FALEMINDERIT #10”, në nderim të kapitenit legjendar.
Mesazhi i bashkëqytetarëve të tij shpreh mirënjohje për atë që Messi ka bërë për kombëtaren dhe futbollin argjentinas.
“Faleminderit, kapiten. Na dhe gjithçka. Na bëre të besojmë përsëri, të ëndërrojmë të pamundurën dhe na dhe momente të paharrueshme që do të mbeten me ne për gjithë jetën”, thuhet në mesazh.
Në letër theksohet edhe ndjenja e boshllëkut që pritet të lërë largimi i tij nga kombëtarja.
“Asgjë nuk do të jetë më njësoj. Nuk jemi gati të të lëmë të shkosh, por do të të ndjekim kudo që të shkosh”, thuhet më tej.
Lamtumira e Messit shënon fundin e një epoke të artë për futbollin argjentinas. Me kapitenin në krye, Argjentina fitoi Copa América në vitet 2021 dhe 2024, ndërsa kulmi erdhi në Katar 2022, kur Messi udhëhoqi ekipin drejt triumfit në Kupën e Botës.
Për Messin, sfida ndaj Beninit do të jetë paraqitja e 208-të me fanellën e Argjentinës. Deri më tani, ai ka realizuar 125 gola dhe ka dhënë 68 asistime.
Lamtumira pritet të jetë emocionuese edhe në tribuna. Në Argjentinë është njoftuar se i gjithë vendi do të ndalet në minutën e 10-të, në një homazh simbolik për numrin që Messi ka mbajtur për vite me radhë dhe që është bërë sinonim i tij.
Një epokë e madhe e futbollit argjentinas është pranë fundit. Dhe në qendër të saj, si gjithmonë, është Lionel Messi.
D.L
