Ylli Lionel Messi po mendon të zgjasë karrierën e tij ndërkombëtare përtej Kupës së Botës.
Messi shënoi dy gola në finalen spektakolare të Kupës së Botës kundër Francës në moshën 35-vjeçare, duke marrë në dorë të vetmin trofe që i ka shpëtuar në karrierën e tij të shkëlqyer.
“Çfarë do të ketë pas kësaj?” Messi pyeti TV argjentinas në stadiumin Lusail Iconic në Doha. “Natyrisht që doja ta mbyllja karrierën time me këtë – nuk mund të kërkoj më asgjë”.
“Por nga ana tjetër, unë e dua futbollin, e dua atë që bëj, më pëlqen dhe më pëlqen të jem në kombëtare, të jem me këtë grup. Dhe padyshim që dua të vazhdoj të jetoj edhe disa ndeshje duke qenë kampion bote”, ai shtoi.
Komentet e Messit rrisin mundësinë që ai të vazhdojë deri në Kupën e Amerikës në vitin 2024, kur Argjentina do të mbrojë kurorën e saj kontinentale pasi ka fituar edicionin e mëparshëm të kompeticionit në Brazil vitin e kaluar.
Natyrisht, trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, i cili e bindi Messin të mos tërhiqej nga futbolli ndërkombëtar në vitin 2016 pas humbjes së Argjentinës nga Kili në finalen e Kupës së Amerikës, do të ishte mëse i lumtur që Messi të zgjaste karrierën e tij përtej suksesit të tyre në Katar – dhe trajneri madje refuzoi të përjashtonte mundësinë që Messi të luante deri në Botërorin e ardhshëm në vitin 2026, kur Messi do të mbushte 39 vjeç gjatë turneut.
“Pse jo? Nëse ai dëshiron të vazhdojë të luajë, ai do të jetë me ne”, u tha Scaloni gazetarëve në konferencën për shtyp pas finales.
“Është kënaqësi për ne që ta stërvitim atë. Ajo që ai u transmeton shokëve të skuadrës është e pakrahasueshme. Unë kurrë nuk kam parë një person që është kaq ndikues me shokët e tij të skuadrës. Ai e ka të drejtën të vendosë se çfarë të bëjë me karrierën e tij të futbollit dhe me Kombëtarja e Argjentinës”.
Në atë që ishte finalja më emocionuese e Kupës së Botës të të gjitha kohërave, Scaloni tha se kurrë nuk kishte menduar se do të bëhej një trajner fitues i Kupës së Botës dhe se kjo është “ndjenja më e mirë ndonjëherë”./UBTNews/