Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo mund të luajnë si bashkëlojtarë për një natë, në një ndeshje të veçantë që pritet të tërheqë vëmendjen e gjithë botës së futbollit.
Ish-futbollisti argjentinas Carlos Tevez po planifikon organizimin e ndeshjes së lamtumirës në stadiumin “La Bombonera”, në Buenos Aires, më 20 dhjetor 2026.
Sipas mediumit spanjoll “Marca”, duke iu referuar “Infobae”, synimi i Tevezit është që Messi dhe Ronaldo të jenë pjesë e së njëjtës skuadër në këtë përballje.
Pjesëmarrja e dy yjeve të futbollit botëror ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por Tevez ka bërë të ditur se po punon për ta realizuar këtë ide.
Në mesin e emrave që dëshiron t’i ftojë janë edhe Gianluigi Buffon, Edwin van der Sar, Rio Ferdinand, Nemanja Vidić, Andrea Pirlo dhe Paul Scholes.
“Do ta gjej vetë Cristianon”, ka deklaruar Tevez, duke folur për mundësinë e pjesëmarrjes së portugezit.
Tevez ka luajtur përkrah Messit te Përfaqësuesja e Argjentinës, ndërsa me Ronaldon ka qenë bashkëlojtar te Manchester Unitedi.
Nëse projekti realizohet, tifozët mund të shohin për herë të parë Messin dhe Ronaldon me të njëjtën fanellë, në një ngjarje që premton të jetë ndër më të veçantat e futbollit.
D.L
