Lionel Messi vazhdon të shkruajë histori në skenën më të madhe të futbollit. Kapiteni i Argjentinës ka arritur një statistikë të jashtëzakonshme në Kupën e Botës 2026, duke u vendosur në të njëjtin nivel me legjendën argjentinase, Diego Maradonën.
Sipas të dhënave të turneut, Messi ka regjistruar 54 përfshirje në aksione që kanë përfunduar me goditje drejt portës. Ai ka realizuar 33 goditje, ndërsa ka krijuar edhe 21 raste për gol për bashkëlojtarët e tij.
Kjo shifër e vendos yllin argjentinas si futbollistin me ndikimin më të madh ofensiv në një Botëror që nga paraqitja e paharrueshme e Maradonës në vitin 1986.
Në atë edicion historik, ku Argjentina u shpall kampione e botës, Maradona ishte lideri absolut i skuadrës dhe regjistroi 59 përfshirje në aksione të rrezikshme, me 29 goditje drejt portës dhe 30 raste të krijuara për shokët e ekipit.
Paraqitjet e Messit në Botërorin 2026 kanë rikthyer krahasimet me periudhën e artë të Maradonës. Edhe pse në një fazë tjetër të karrierës, ylli argjentinas vazhdon të jetë figura kryesore e ekipit të tij, duke ndikuar si në krijimin e rasteve, ashtu edhe në finalizimin e aksioneve.
Me këto paraqitje, Messi po e forcon edhe më shumë trashëgiminë e tij në Kupën e Botës, duke u afruar gjithnjë e më shumë me emrat më të mëdhenj që kanë lënë gjurmë në historinë e këtij kompeticioni.
D.L
Foto; SportBild
