Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore është konsistuar sot në takimin e 8 të tyre, pas shtatë tentimeve. Puna do të vazhdojë nga sot (e enjte) në bazë të marrëveshjes që është bërë në kryesinë e Kuvendit, dhe mandati do të jetë për gjashtë muaj. Megjithatë, mbledhja nuk kaloi pa përplasje e tensione mes deputetëve.
“Sherr” i përplasjes mes deputetëve ishte kur deputeti Halil Thaçi nga VV-ja kërkoi qëndrimin e kryetarit të Komisionit, Rashit Qalaj, rreth deklaratave të tij që ka bërë për ministren Rozeta Hajdari për arrestimin e saj. Ai kërkoi që të deklarohet dhe një herë rreth tyre, pasi që Qalaj i kishte quajtur “hajna”, e për këtë arsye janë thirrur disa deputetë që të hetohen nga prokuroria, e sipas tij kjo është një gjë e papranueshme.
Thaçi i VV-së tha se arsyeja pse nuk ka marrë pjesë opozita është që nuk është bërë votimi i marrëveshjes ndërkombëtare. Ai iu bëri thirrje edhe pjesës tjetër të opozitës që të votojnë marrëveshje sepse ka të bëjë me të mirën e qytetarëve dhe nuk bie në domenin e vetëm një qeverie.
“Ne si grup parlamentar kemi pasur një qëndrim politik të ditur tashmë. Ne nuk kemi marrë pjesë në konstituimin e këtij komision parlamentar për arsye që nuk është bërë votimi i marrëveshjes ndërkombëtare. Pas reflektimit të një pjese të opozitës, ne kemi vendosur të jemi pjesë, edhe pse qëndrimet tona dihen publikisht rreth këtij komisioni hetimor parlamentar. Një komision hetimor e ka për detyrë që ta vë në lëvizje prokurorinë gjë e cila ka ndodhur në rastin të cilin po e hetojmë …01:25 I bëj thirrje edhe pjesës tjetër të opozitës të votojë marrëveshjen ndërkombëtare sepse ka të bëjë me të mirën e qytetarëve dhe nuk bie në domenin e vetëm një qeverie. 2:23 Komisioni hetimor i ka disa rregulla dhe nuk bën të publikohet apo të flitet diçka që ende nuk ke dëshmi. Ka këtu prej deputetëve që kanë bërë thirrje edhe për deputetë t’i hetojë prokuroria gjë e cila është e pa pranueshme për neve”, tha Thaçi.
Kryetari i komisionit tha se nuk qëndrojnë pretendimet e Thaçit. Në takimin e mbajtur të kryesisë, ata kanë shqyrtuar një letër që e kanë dërguar si pjesë e komisionit dhe kanë kërkuar që kryesia e kuvendit të vendoset më tutje.
“Së pari nuk qëndron ajo që po thua. Fillimisht në takimin e mbajtur të kryesisë , ata e kanë shqyrtuar një letër që i kemi dërguar ne si pjesë e komisionit dhe kemi kërkuar që kryesia e kuvendit të vendoset më tutje, është diskutuar çështja e letrës që kemi dërguar dhe nga deputeti i Lidhjes Demokratike që është kryetar i grupit parlamentar i është bërë e qartë të gjithëve aty, meqenëse ata janë propozues të formimit të këtij komisioni, që ata nuk do t’i votojnë marrëveshjen ndërkombëtare nëse ky komision nuk konsistohet dhe për rezultat të kësaj ne jemi sot këtu. Kemi të bëjmë me një detyrim që e ka marrë kryesia e Kuvendit”, u shpreh Qalaj.
Në anën tjetër, Doarsa Kica-Xhelili nga LDK tha se ky komision parlamentar nuk është për sedra personale të askujt, e nëse dikush e ndjenë si të tillë është për ta ngritur egon e tyre sepse kjo sipas saj nuk ka të bëjë me ta personalisht. Ajo shtoi se me këtë votë të kuorumit ata po ushqehen me narracion që do të pamundësojnë punën e komisionit më vonë nëse nuk e votojnë edhe planin e punës, dhe nëse nuk i caktojmë edhe datat për ftesa të anëtarëve prezent.
“Nuk mund të vijë në këtë nivel të diskutimit, ky komision hetimor parlamentar nuk është për sedra personale të askujt, e nëse dikush e ndjenjë si të tillë më vjen keq për domosdoshmërinë që e keni për ta ngritur egon e juaj sepse kjo s’ka të bëjë me ne personalisht. Unë ndjej që nuk ia vlen as me votu, e arsyeja që po e them këtë është që sikurse ligjet dhe rregullorja është shumë e qartë lidhur me kuorumin e domosdoshëm për këtë komision. Ky kuorum nuk është i domosdoshëm vetëm për konsituim, por për planin e punës, për mbledhje dhe për gjithçka tjetër, prandaj ajo që ne na duhet sot si qëndrim nga Lëvizja Vetëvendosje është, a duan që të zbardhen çështjet që ne i ngrisim karshi këtij komisioni apo jo, të ngritën dhe të zbardhen për publikun jo për njëri tjetrin. Me këtë votë të kuorumit ne po ushqehemi me narracion që ka me na pamundësua punën e komisionit më vonë nëse nuk e votojmë edhe planin e punës dhe nëse nuk i caktojmë edhe datat për ftesa të anëtarëve prezent”, shtoi ajo.
Ndërsa, Valentina Bunjaku nga LDK tha se kjo tashmë është personale, ndërsa LDK ka qenë pro dhe i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Ajo tha se kjo është vetëm një arsyetim për mosardhjen e opozitës në komision pasi që nuk kanë shkuar që të zbardhin të vërtetën duke ju thënë se “po bashkëpunoni me hajnat”.
“E para që nuk keni ardhë me marrë pjesë në konsotutim të këtij komisioni sipas juve ka qenë politikë mes juve, mes deputetëve që keni vendos, gjë që është e papranueshme si tezë sepse ju e keni votu në kuvend dhe e keni votu e gjithë mazhoranca për konstatimin e këtij komisioni, e tek marrëveshjet ndërkombëtare LDK gjithmonë ka qenë pro dhe i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare ato të cilat i ka vlerësuar që duhet votuar. E kjo e juaja është një arsyetim për mos ardhjen e juaj në komision, ju nuk keni ardhë në komision për të zbardhë të vërtetën, keni luftuar hajnat në opozitë e në pozitë po bashkëpunoni me hajnat”, vijoi Bunjaku.
Po ashtu Pal Lekaj nga AAK tha se AAK është dakorduar që të votojë marrëveshjet ndërkombëtare, por është shqetësuese që kolegët nuk janë në komision. Ai theksoi se ekziston një dyshim për rezervat shtetërore, e ky komision e ka mandatin që të informojë qytetarët të cilët janë taksapagues dhe e drejta duhet të dalë në sipërfaqe.
“Është e vërtetë që AAK është dakorduar që të votojë marrëveshjet ndërkombëtare, që ju të merrni pjesë në komisionet hetimore, por ajo që më shqetëson që kolegët nuk janë këtu, dhe duhet që marrëveshjet që i kemi pas t’i implementojmë ashtu siç jemi dakorduar. Është e vërtetë që ne kemi shfaqur dyshime për mos ardhjen e juaj. Ekziston një dyshim për rezervat shtetërore dhe ky komision mandatin e ka që të informojë qytetarët që janë taksapagues dhe drejta le të del në sipërfaqe”, theksoi Lekaj.
Pas votimit të rendit të ditës është caktuar takimi i radhës i komisionit hetimor për të hënën me 4 dhjetor në ora 10:00.